Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

Prizren, 19 maj 2020 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet H.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri H.Sh., me datë 18.02.2020, rreth orës 16:00, në rrugën “Nora Kelmendi” në Prizren, me kanosje serioze, pengon personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe atë zyrtarët N.B., V.K., dhe J.R, në atë mënyrë që pasi zyrtarët policorë nga Njësiti për Reagim të Shpejtë – NJRSH, gjatë patrullimit ndalojnë veturën e markës “Mercedes Benz”, në të cilën gjatë kontrollimit arrestojnë dy persona të dyshuar B.Sh., dhe S.R., për armëmbajtje pa leje.

Në ato momente në vendngjarje kalon i pandehuri H.Sh., dhe kërkon sqarime nga zyrtarët policorë për arrestimin e dy shokëve të tij. Të njëjtit, i tërhiqet vërejtja dhe urdhërohet që të largohet dhe të mos pengoj zyrtarët policorë, por edhe përkundër kësaj, i pandehuri nuk i zbaton urdhërat dhe vazhdon t’i kanosë me fjalë zyrtarët policorë. Pas fjalëve kanosëse, zyrtarët policorë të njëjtin e arrestojnë, ku gjatë kontrollimit tek i njejti gjejnë një mjet të mprehtë – brisk, të cilin e mbante me vete.

Me këto veprime, i pandehuri H.Sh., ka përmbushur elementet e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas KPRK-së.

 

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.