Aktivitetet Prokurorit Single - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Ambasada Amerikane në Prishtinë dhuron donacion për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prishtinë, 27 maj 2020 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pranuar një  donacion prej 29 laptopësh nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilët do të jenë në shërbim të institucionit të Prokurorit të Shtetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ceremonia e nënshkrimit të këtij donacioni është zhvilluar ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe përfaqësueseve të Ambasadës Amerikane në Prishtinë të kryesuar nga Drejtori i Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Shawn Waddoups, i cili ka deklaruar se ky donacion ka për synim që të rrisë kapacitet e punës së prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave.

Qëllimi i këtij donacioni nga Ambasada Amerikane për institucionin e Prokurorit të Shtetit është që t’iu ndihmohet prokurorëve dhe ndihmësve të viktimave që rastet e dhunës në familje të adresohen edhe jashtë orarit të punës, duke iu përgjigjur kështu me urgjencë nevojave të viktimave që kanë pësuar nga aktet e dhunës në familje, veçanërisht  gjatë pandemisë me COVID-19.  

Këta laptop të shpërndahen në prokuroritë rajonale për t'u përdorur nga prokurorët në detyra përkatëse si dhe për ndihmësit e viktimave. Po ashtu, parashihet që disa laptop të shpërndahen edhe për prokurorët e Prokurorisë Speciale, Prokurorisë së Apelit dhe për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar Ambasadën Amerikane në Prishtinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme dhënë sistemit prokurorial si dhe ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen në funksion të forcimit të institucioneve të drejtësisë.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

slider-img