Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë për rastin e grabitjes në argjendari

Prizren, 29 mars 2023 - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve L.L., A.A., E.G., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Grabitja në tentativë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Grabitja”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, të akuzuarit L.L, A.A dhe E.G., me dashje ndërmarrin veprime për kryerjen e veprës penale të grabitjes, por vepra penale nuk është kryer tërësisht, në atë mënyrë që me datë 15.11.2021, rreth orës 17:02 minuta, në rrugën ”Adem Jashari”, në Prizren, duke vepruar në grup të armatosur dhe të maskuar me maska në kokë dhe dorëza në duar, përdorin forcën që rezulton me lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor, asisoj që i pandehuri A.A me armën e tipit “AK-47”, i pandehuri L.L me pistoletën “CZ” dhe i pandehuri E.Sh me një armë të gjatë të ashtuquajtur “pumparicë”, të cilët me vete kishin edhe një çekan me një kuti të plastikës, me shpejtësi dalin nga vetura e tyre, dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, në këtë rast të arit, hyjnë në dyqanin e argjendarit ku ishin pronari – i dëmtuari O.K., dhe biri i tij – i dëmtuari I.K., dhe në ballafaqim me ta nuk arrijnë ta marrin arin, por që me armë të zjarrit shkrep i pandehuri A.A., e pastaj shkrep i pandehuri E.Sh., i cili iu shkakton lëndime të dëmtuarve I.K., e O.K., e pastaj me pistoletë  në drejtim të të dëmtuarit O.K., shkrep i pandehuri L.L., të cilin e godet në abdomen, e pastaj me shpejtësi me automjet ikin nga vendi i ngjarjes në drejtim të rrugës regjionale Prizren-Suharekë, me ç’rast i dëmtuari O.K., pëson plagë të rënda trupore me pasoja të përhershme në shëndet, kurse i dëmtuari I.K., pëson dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme në shëndet.

Në këtë mënyrë të akuzuarit L.L., A.A., dhe E.G., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja në tentativë” sipas KPRK-së. Po ashtu, pas shkrepjes me armë e duke marrë parasysh se në ato momente kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror për të lartpërmendurit, kësodore kanë bashkëkryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve  sipas KPRK-së.

Po ashtu, të njëjtit me përdorim të forcës, në grup dhe me armë në mënyrë të kundërligjshme përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër, ashtu që pasi  largohen  nga vendi i ngjarjes të përshkruar si më lartë, gjatë ikjes me automjetin e tyre, bëjnë aksident me një automjet, vazhdojnë rrugës regjionale Prizren-Suharekë dhe kur arrijnë afër fshatit Lubizhdë zbresin nga automjeti, pastaj me armë të zjarrit në duar, me dhunë e nxjerrin nga një automjeti, pronarin – të dëmtuarin S.Sh., dhe me këtë automjet vazhdojnë rrugën disa qindra - metra deri tek një pompë e derivateve, të cilët të armatosur zbresin nga vetura, dhe me dhunë nga punëtori i pompës marrin një bidon të cilin e mbushin me karburant, e pastaj me shpejtësi me automjetin e lartpërmendur, kthehen tek automjeti i tyre, të cilin e djegin dhe ikin nga vendi i ngjarjes për në drejtim të Suharekës. Kësodore, kanë bashkëkryer veprën penale “Grabitja”.

Gjithashtu, të njëjtit me me automjetin e grabitur, largohen nga vendi ku e kanë djegur veturën e tyre, në fshatin Lubizhdë-Komuna e Prizrenit, dhe kur arrijnë, në Suharekë, ballafaqohen me patrullën policore ku në ikje, nga xhami i pasëm i veturës shkrepin në drejtim të patrullës së policisë, të cilët përveç që ata i rrezikojnë njëherit, i rrezikojnë edhe kalimtarët e rastit, në këtë mënyrë  të njëjtit kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Po ashtu, të njëjtit ikin nga Suhareka dhe arrijnë në fshatin Murg-Komuna e Skenderajt, në tërësi e djegin automjetin dhe kësisoj i shkaktojnë dëm material pronarit të saj – të dëmtuarit S.Sh, mbi 5.000 Euro. Kësodore, kanë bashkëkryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” sipas KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari E.Sh., me dashje ka ndihmuar në shmangien e zbulimit ose arrestimit të kryesve të veprave penale, në atë mënyrë që me datë 15.11.2021 në orët e vona të natës afër shtëpisë së tij në fshatin Shkabaj-Komuna e Obiliqit (Kastriotit), takohet me të pandehurit e armatosur L.L, A.A dhe E.Sh dhe me automjetin e tij fshehurazi i dërgon në Prishtinë. Në këtë mënyrë, ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” të KPRK.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.