Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Studentët e Fakultetit Juridik vizituan Prokurorinë Themelore në Prizren

Prizren, 20 mars 2023- Prokurorinë Themelore në Prizren e vizituan një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, të cilët kishin për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë institucion.

Qëllim kryesor i kësaj vizite, ishte edukimi dhe marrja e njohurive praktike dhe të drejtpërdrejta nga kjo prokurori, ku me këtë rast, studentëve mirëseardhje i shprehu administratori z.Xhemajl Qelaj.

Gjatë këtij takimi, administratori z.Xhemajl Qelaj fillimisht e vlerësoi vizitën e studentëve, si dhe i njoftoi për funksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë si dhe bëri një pasqyrim të punës së përditshme të prokurorëve.

Më tutje, temë e takimit ishte, procedura e ndërmjetësimit, si procedurë alternative apo veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshje me anë të një personi të tretë asnjëanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin.

Lidhur me këtë temë para studentëve prezantuan z.Besnik Rexhepi - zyrtar për ndërmjetësim nga Prokuroria Themelore në Prizren, si dhe z.Admir Rama dhe z.Baki Morina - ndërmjetësues.

Folësit, potencuan rëndësinë e ndërmjetësimit dhe theksuan se kjo procedurë zbatohet në fushën e të drejtës civile, tregtare, familjare, në fushën penale etj.

Po ashtu, të njëjtit theksuan edhe avantazhet e ndërmjetësimit, si procedurë alternative që palëve u ofron zgjidhje të shpejtë dhe efikase, ku u përmendën: kostoja e ulët, është procedurë transparente kur janë vetë palët që vendosin në marrjen e vendimit, zgjidhjen e çështjes dhe përmirësimin e raporteve.

Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me studentët. Të pranishmit, iu përgjigjën interesit të studentëve, të cilët u fokusuan mbi aspekte të ndryshme, mbi punën e prokurorisë si dhe ndërmjetësimit në veçanti.