Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurori i Shtetit dhe Këshilli i Evropës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave në fushën e hetimit dhe ndjekjes penale kundër pastrimit të parave

Prishtinë, 16 Janar 2023 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power, për zbatimin e programit të shkëmbimit të përvojave në fushën e hetimit dhe ndjekjes penale kundër pastrimit të parave, i cili, do të implementohet në kuadër të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Europian / Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK III).

Ky program ka për qëllim që të mbështesë autoritetet vendase, përkatësisht Prokurorinë Speciale, si institucion përfitues i këtij programi, në trajtimin specifik të rasteve gjatë fazave të procedurës penale, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe atij ndërkombëtar, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive të ndërsjella në trajtimin sa më efikas dhe cilësor të rasteve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave.  

Projekti kundër Krimit Ekonomik (PECK III) është projekt i përbashkët i bashkëfinancuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.