Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj një personi në rastin “Brezovica”

Ferizaj, 02 Qershor 2022 Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurit R.M., i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X.,  kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019,  në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G., dhe A.X., kanë pranuar para me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.