Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim për zyrtarin policor që keqpërdori detyrën zyrtare

Mitrovicë, 25 maj 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë  - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 414 i KPRK, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“ nga neni 386 i KPRK, si dhe  “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas fakteve dhe provave të siguruara, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.R., si person zyrtar – polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, derisa ka qenë në detyrë të sigurimit të vendit të ngjarjes në objektin biznesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit me pronar i dyshuari S.N., i ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike si dhe janë gjetur 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë.  

Me veprimet e tija, i dyshuari A.R., ka kryer veprat e lartë cekura penale.

I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.