Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Ndalohen dy persona për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve

Gjilan, 24 Dhjetor 2021– Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Gjilan, janë ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, i dyshuari me inicialet T.S. – ish drejtor i Shëndetësisë në komunën e Novobërdës dhe i dyshuari me inicialet A.R. – pronar i kompanisë ‘’AWA Sh.p.k’’, në Prishtinë.

 

Bazuar në hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi se kompania e lartcekur nuk ka furnizuar Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunës së Novobërdës me barna dhe produkte tjera medicinale, por ka lëshuar fatura fiktive se kinse i ka furnizuar të njëjtat.

 

I dyshuari T.S., me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ndërsa, i dyshuari A.R., dyshohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’.

 

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të njëjtëve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.