Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë për vrasjen te Proper Pizza në Mitrovicë

Mitrovicë, 01 nëntor 2021 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve L.S., B.H., V.I., dhe V.S., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK, “Vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK, “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria njofton opinionin se me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e Proper Pizza në Mitrovicë A.B., vjen një konflikt mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., nxjerr pistoletën dhe shtënë në viktimën M.K., i cili vdes si pasojë e plagëve të marra, dhe predhat e goditin edhe B.H., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale  “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri B.H., me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të grupit të Proper Pizza.

Me këto veprime i pandehuri B.H., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK),

 

I pandehuri V.I., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu në mënyrë kërcënuese ka përdorur pistoletën të cilën e kishte në posedim.

Me këto veprime i pandehuri V.I., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri V.S., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu e ka përdorur kundër grupit të Proper Pizza në mënyrë kërcënuese pistoletën të cilën e kishte në posedim.

Me këto veprime i pandehuri V.S., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.