Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj tre personave për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve

Gjakovë, 27 tetor 2021 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj  tre të pandehurve G.I., J.I., dhe Rr. Sh.,  me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragraf 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria njofton se, më parë e deri më 26.10.2021, në fshatin Stubëll, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes,  kanë poseduar substanca të cilat me ligj janë shpallur narkotikë. Të njëjtit kanë qenë nën masat e fshehta të hetimit e vëzhgimit, e ku me datë të cekur më lartë, sipas urdhëresës së Gjykatës kompetente, është bërë bastisja në shtëpitë e objektet përcjellëse të pandehurve, ku nga kjo bastisje ka rezultuar me gjetjen e 5 kilogramë e 571 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë,  e cila  është konfiskuar nga zyrtarët policorë.

 

Prokurori i rastit  ndaj të pandehurve G.I., J.I., dhe Rr. Sh.,   ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

 

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

Prokuroria Themelore Gjakovë