Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbanë takimin e radhës

Prishtinë, 22 shtator 2021 - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka zhvilluar takimin e 203-të me radhë, i cili është mbajtur online dhe në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.

Takimi ka filluar me raportimet e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 nga Komisioni Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporte të cilat edhe janë miratuar nga anëtarët e KPK-së.

Më tej takimi ka vazhduar me njoftim lidhur me raportimet e kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës për periudhën prill – qershor 2021, raportime të cilat bëhen me shkrim.

KPK ka marrë vendim për dërgimin e propozimeve në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës për lirimin e 2 prokurorëve të Shtetit nga detyra, të cilët do të arrijnë moshën e pensionimit gjatë muajit tetor 2021.

Anëtarët e KPK-së në këtë takim kanë miratuar me disa ndryshime kërkesën e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së lidhur me çështjet e personelit.

Takimi ka vazhduar me miratimin e rivlerësimit të performancës së 9 prokurorëve me mandat fillestar.

Në fund të takimit është mbajtur seancë dëgjimore disiplinore lidhur me rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku vendimi përkatës do të bëhet publik siç parashihet me Ligj.