Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i radhës i Komisionit për Çështje Normative

Prishtinë, 5 korrik 2021 -  Komisioni për Çështje Normative, i udhëhequr nga kryesuesi Armend Zenelaj, ka mbajtur takimin e radhës, me ç’rast ka shqyrtuar një sërë pikash të parapara me rendin e ditës.

Fillimisht është shqyrtuar kërkesa për rishikimin e tarifave për angazhimet sipas detyrës zyrtare dhe lehtësimin e procedurave të kompensimit për avokatë, kërkesë kjo, e cila iu ka drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Me këtë rast, anëtarët e komisionit janë pajtuar që ngritja e tarifave të bëhet në koordinim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ngaqë natyra e punës është e njëjtë. Gjithashtu është kërkuar që Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel në bashkëpunim me Sekretariatin e KPK-së të bëjnë një kalkulim të shpenzimeve, të cilat do të krijohen me rastin e ngritjes së tarifave dhe Komisionit për Çështje Normative t’i propozojë ndryshimin e aktit sipas propozimeve për tarifa.     

Në këtë takim është bërë finalizimi i draftit të Rregullores për Transferim dhe Avancim e Prokurorëve të Shtetit, qëllimi i së cilës është përcaktimi i kritereve dhe procedurave për transferimin e përkohshëm, të përhershëm dhe për avancimin e prokurorëve të shtetit.

Po ashtu, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, ka prezantuar konceptdokumentet fillestare të organogramëve për Sekretariatin e KPK-së, Prokurorin e Shtetit, prokuroritë themelore dhe Njësitin për Shqyrtimin e Perfomancës së Prokurorive, me anë të të cilave synohet fuqizimi i kapaciteteve profesionale dhe unifikimi i rregullimit të administratës së sistemit prokurorial, duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.