Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet punëtori për draftimin e Rregullores për SMIL-in

Prishtinë, 23 qershor 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i mbështetur nga Projekti i BE-së, EUKOJUST, ka organizuar një punëtori dyditore për draftimin e Rregullores për menaxhimin e procesit të punës përmes sistemit elektronik SMIL në sistemin prokurorial.

Në fjalën hyrëse të kësaj punëtorie, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka vënë si prioritet të lartë SMIL-in, duke e vendosur atë si objektiv të veçantë në Planin strategjik të Këshillit dhe në dokumentet e tjera relevante të sistemit prokurorial.

Kryesuesi Maloku, me tej, tha se me draftimin dhe miratimin e kësaj rregulloreje, përpos që planifikohet të përcaktohet mënyra e menaxhimit të procesit të punës, në të njëjtën kohë, ky akt do të ndikojë edhe në unifikimin e të gjitha procedurave dhe ngritjen e efikasitetit të punës, si dhe ka shprehur falënderimin e tij për Projektin EUKOJUST lidhur me mbështetjen financiare për organizimin e kësaj punëtorie dhe aktivitetet e tjera në fushën e teknologjisë informative.

Ndërsa, Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, prokurori Armend Zenelaj, tha se kjo punëtori do të rezultojë me një draft të mirë të kësaj rregulloreje.

Kjo punëtori është përshëndetur edhe nga përfaqësuesi i Projektit EUKOJUST, Arben Isufi.

Në këtë punëtori po marrin pjesë Kryesuesi i KPK-së, anëtarë të komisioneve të përhershme të KPK-së, kryeprokurorë, prokurorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, administratorë të prokurorive dhe zyrtarë të tjerë të sistemit prokurorial.