Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Maloku ka vizituar Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës

Prishtinë, 9 qershor 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka vizituar sot  Prokurorinë e Apelit dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku ka takuar dy kryeprokurorët e kësaj prokurorie, Xhevdet Bislimi dhe Kujtim Munishi.

Gjatë këtyre vizitave Kryesuesi Maloku është njoftuar nga dy kryeprokurorët me organizimin, punët, angazhimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen këto prokurori.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit ka thënë së prioritet i tij është shtimi i numrit të prokurorëve dhe stafit administrativ në këtë prokurori.

Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, ka theksuar se në këtë prokurori është duke u bërë punë e madhe nga të gjithë prokurorët dhe stafi administrativ, si dhe ka cekur se prioritet i tij është fuqizimi njësitit antikorrupsion për Krime të Rënda të kësaj prokurorie me prokurë shtesë, ku ka kërkuar nga Kryesuesi Maloku, që kjo kërkesë e tij të gjej përkrahje brenda Këshillit Prokurorial.

Gjithashtu, Munishi ka potencuar se që nga ardhja e tij si i pari i kësaj prokurorie, ka marr iniciativë për të caktuar koordinator shtesë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, konfiskimit dhe sekuestrimit, rastet e drogës, krimet kibernetike, me qëllim të trajtimit sa më të mirë dhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve.

Po ashtu, Munishi ka deklaruar se nga viti 2020, në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ka krijuar zyrën për ndërmjetësim e cila ka rezultuar si efikase.

Ndërkaq, Kryesuesi Maloku, ka potencuar se do të jetë në shërbim të plotë për të ofruar mbështetjen e nevojshme për kryeprokurorët dhe çdo prokurorë, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe ka vlerësuar punën dhe angazhimin e tyre.

Po ashtu, Kryesuesi Maloku, iu ka ofruar mbështetjen e tij dhe të Këshillit Prokurorial dy kryeprokurorëve, me qëllim që këto prokurori t’i arrijnë objektivat e tyre, si dhe të kenë efikasitet më të madh në kryerjen e lëndëve, punëve dhe obligimeve të cilat ata kanë.