Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Punëtori lidhur me procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorëve të rinj

Prishtinë, 27 nëntor 2020 – Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nëpërmjet video konferencës nga projekti britanik “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, ku është diskutuar zbatimi i formularëve të vlerësimit në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorëve.

Në hapje të kësaj punëtorie, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka vlerësuar angazhimin e projektit britanik në ngritjen e kapaciteteve profesionale të anëtarëve të KPK-së, për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve të shtetit. Ai shtoi se kjo punëtori është shumë e rëndësishme sepse KPK shumë shpejtë pritet të zgjedhë Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorët e 6 prokurorive themelore.

Gjatë këtij trajnimi është diskutuar për përgatitjen, strukturimin dhe objektivin e intervistës, hartimin e pyetjeve, metodologjinë e vlerësimit dhe për shumë veprime tjera që mund të realizohen gjatë procesit për zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive.