Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Zgjidhen anëtarët e KPK-së nga radhët e 7 prokurorive themelore

Prishtinë, 29 tetor 2020 – Nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 188-të me radhë.

Ky takim ka filluar me njoftimin e Kryesuesit Hyseni se 2 nga 3 anëtarët e KPK-së, Arben Ismajli dhe Zejnullah Gashi, që kishin ofruar dorëheqje, i kanë revokuar ato.

Gjatë këtij takimi, KPK-ja ka miratuar Raportin e Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së nga radhët e 7 prokurorive themelore. Ndërsa, pas miratimit të raportit, është marrë vendim për zgjedhjen e 7 anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, KPK-ja ka marrë vendim për avancimin e 4 prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, avancim ky, që ka për qëllim fuqizimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj.

Në fund të këtij takimi, KPK-ja ka miratuar Raportin e vlerësimit të performancës se 12 prokurorëve në trajnim fillestar në Akademinë e Drejtësisë.