Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi priti në takim anëtarin më të ri të KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike

Prishtinë, 24 gusht 2020 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga anëtarët Ikramije Bojaxhiu, Radica Milic dhe Zejnullah Gashi, ka pritur në takim anëtarin më të ri të KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës së Kosovës, Agron Beka, i zgjedhur së fundmi nga Kuvendi i Kosovës.

Z.Hyseni i ka uruar mirëseardhje z.Beka, me ç’rast e njoftoi me përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe trupave ndihmëse të tij, me detyrat dhe përgjegjësitë e KPK-së dhe trupave të saj, si dhe aktivitetet që do të realizohen deri në përfundim të këtij viti kalendarik. “Ne mirëpresim bashkëpunim tuaj profesional në proceset dhe sfidat e ardhshme, në mënyrë që të arrijmë avancimin dhe fuqizimin e kapaciteteve që do të mundësojnë sa më shumë efikasitet, llogaridhënie dhe transparencë në sistemin prokurorial të vendit tonë”, tha Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni.

Gjithashtu, Kryesuesi Hyseni, ka vlerësuar angazhimin e Kuvendit të Kosovës në procesin e përzgjedhjes së anëtarit të ri të KPK-së, duke theksuar se ende mbeten vakante edhe dy pozitat e anëtarëve të tjerë nga radhët e shoqërisë civile dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, të cilat janë mjaft të rëndësishme për funksionalitetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në fund të takimit, anëtari i ri i KPK-së, Agron Beka, ka falënderuar për mikpritjen, duke shprehur përkushtimin e plotë për të dhënë kontributin e tij profesional dhe ligjor në kuadër të kompetencave që do t’i ushtrojë gjatë mandatit pesëvjeçar.