Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohet Raporti i Projektit SMIL për periudhën janar-qershor 2020

Prishtinë, 28 korrik 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në një takim të organizuar përmes platformës online nga Bordi Drejtues i Projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), në të cilin morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj dhe drejtorët e përgjithshëm të të dy sekretariateve të këshillave.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi dhe diskutimi i aktiviteteve, të arriturave dhe sfidave në periudhën janar-qershor 2020 në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës.

Përfaqësuesit e Bordit Drejtues të SMIL-it kanë theksuar se ky projekt ka hasur në disa sfida për shkak të pandemisë COVID 19, veçanërisht te zhvillimi i pjesëve të ndryshme.

Megjithatë, u tha, se në këtë fazë është në proces adresimi i kërkesave nga dy Këshillat, me ç’rast pritet që ekspertët e projektit të ndërmarrin hapat e nevojshëm për realizmin e planit të punës për vitin 2020.

Me qëllim të minimizimit të ndikimit negativ të pandemisë COVID 19, menaxhuesit e SMIL-it kanë bërë rishikimin e planit të punës për periudhën e mbetur të vitit, kurse në përmbyllje të takimit, anëtarët e Bordit Drejtues të Projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) kanë thënë se do të vazhdojnë realizimin e tij më përpjekje të shtuara.