Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet për bashkëpunimin në ndërmjetësim përmes koordinimit ndërinstitucional

Prishtinë, 28 korrik 2020 – Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së (SKPK), Lavdim Krasniqi, ka marrë pjesë në një takim të organizuar përmes platformës online nga UNDP-ja, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONK).

Qëllimi i takimi ishte gjetja e mënyrave më të lehta të bashkëpunimit me Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës, me qëllim të zbatimit sa më adekuat të Ligjit të ri të ndërmjetësimit dhe avancimit të sistemit të ndërmjetësimit përmes koordinimit ndërinstitucional.

Rrjedhimisht, në këtë kontekst, Drejtori Krasniqi ka diskutuar me përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve, e cila është themeluar përmes ligjit të ri, si dhe me përfaqësues të UNDP-së për krijimin e hapësirave për ndërmjetësim në prokuroritë e vendit, referimin e rasteve dhe administrimin e tyre, si dhe funksionimin e procesit të ndërmjetësimit gjatë pandemisë COVID 19. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi, ka kërkuar nga UNDP-ja mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të stafit për ndërmjetësim në sistemin prokurorial të Kosovës.   

Bashkëbiseduesit janë pajtuar që të ketë avancim dhe fuqizim të bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që të menaxhohet rritja e numrit të rasteve, të cilat referohen për ndërmjetësim nga faktorët përkatës.