Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i parë i Grupit punues për hartimin e Projektstrategjisë sektoriale të sundimit të ligjit

Prishtinë, 16 korrik 2020 – Ministria e Drejtësisë ka mbajtur takimin e parë të Grupit punues për hartimin e Projektstrategjisë sektoriale të sundimit të ligjit, grup ky, i cili përbëhet nga përfaqësues të KPK-së, KGJK-së, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Zyrës së Presidentit dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa përveç anëtarëve të Grupit punues në takim morën pjesë edhe përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, Ambasadën Britanike dhe USAID-in.

Kjo nismë reformuese e Ministrisë së Drejtësisë (MD), në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe aktorët kyç të sektorit, synon të sigurojë një vizion gjithëpërfshirës dhe të konsoliduar të sundimit të ligjit për të ngritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Pas miratimit të rekomandimeve nga Komiteti Drejtues, të dala nga faza e dytë e këtij procesi dhe pajtimit për të filluar përpilimin e Projektstrategjisë, po ashtu, ky takim shënoi edhe hapjen e fazës së tretë dhe të fundit të procesit të Rishikimit Funksional të sektorit të sundimit të ligjit, e cila përbën hartimin e Projektstrategjisë së sundimit të ligjit.

Fillimisht, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, njëherësh kryesues i këtij Grupi Punues, ka prezantuar para të pranishmëve përmbledhjen e shkurtër të procesit me të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga faza e dytë.

Nga ana tjetër, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, i cili në këtë takim ka marrë pjesë nga distanca, përmes platformës online, ka thënë se masat që synojnë rritjen e llogaridhënies dhe efikasitetin e sistemit prokurorial, avancimin e profesionalizmit të prokurorëve dhe personelit mbështetës dhe ngritjen e integritetit dhe llogaridhënies së tyre, duhet të përkrahen dhe të jenë pjesë integrale e kësaj strategjie, e cila do të jetë udhërrëfyese e rishikimit funksional.

Anëtarët e Grupit Punues u pajtuan me metodologjinë dhe hapat e mëtutjeshëm për hartimin e Projektstrategjisë sektoriale të sundimit të ligjit dhe për finalizimin e procesit të Rishikimit Funksional.