Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i radhës i BE-së kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor  

Prishtinë, 3 korrik 2020 – Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Prokurori Zejnullah Gashi, po merr pjesë së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës në takimin e tretë rajonal kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, eveniment ky i radhës, i cili është organizuar përmes komunikimit në distancë nga Bashkimi Evropian (BE).
 
Qëllimi i mbajtjes së këtij takimi të rëndësishëm evropian është zbatimi i vazhdueshëm i Udhëzuesit për zgjidhje të qëndrueshme lidhur me mbajtjen e paligjshme, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024. 
 
Në sesionet e tij po marrin pjesë përfaqësues të BE-së, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe ministrive të punëve të brendshme të shteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore, si dhe përfaqësues të sistemeve të drejtësisë, të cilët kanë raportuar për zbatimin e këtij udhëzuesi në vendet e tyre.
 
Në këtë kontekst, anëtari i KPK-së, Zejnullah Gashi, do të raportojë para pjesëmarrësve për trajtimin nga prokuroritë e Kosovës të veprave penale të mbajtjes së paligjshme dhe trafikimit të armëve, me fokus të veçantë për rëndësinë e Mekanizmit përcjellës për veprat penale karakteristike, përfshirë këtu pashmangshëm edhe armët e vogla dhe të lehta, si dhe përshtatjen e këtij udhëzuesi me juridiksionin e shtetit të Kosovës.  
Rrjedhimisht, në të gjitha sesionet e forumit deri tashti janë diskutuar progresi, sfidat dhe nevojat e vendeve pjesëmarrëse, si dhe është bërë prezantimi i planit të veprimit të këtyre vendeve që veprojnë në kuadër të këtij projekti, përfshirë përparimin në qëllimet e përcaktuara dhe nevojat e identifikuara.
 
Po ashtu pjesëmarrësit janë pajtuar që mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë të angazhohen fuqishëm për të siguruar një mbështetje të planifikuar për zbatimin e këtij udhërrëfyesi, të monitorojnë implementimin e gjetjeve rajonale dhe të bëjnë prezantimin e vazhdueshëm të treguesve kryesorë të performancës.
 
Me anë të këtij projekti, BE-ja synon të eliminojë qarkullimin e paligjshëm të armëve të kalibrit të vogël në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që krijohet një siguri më e lartë në nivelin evropian.