Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet trajnim për menaxhim krizash në komunikimin publik të sistemit prokurorial

Prishtinë, 30 qershor 2019 – Zyra për Komunikim Publik e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) ka organizuar një trajnim për komunikimin në situata krizash, trajnim ky, i cili është mbajtur nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, në të cilin morën pjesë zyrtarët për komunikim publik të sistemit prokurorial.

Bazuar në përvojën gjermane, ekspertja për drejtësinë dhe mediat, Brigitte Koppenhofer dhe ekspertja tjetër për komunikim dhe këshillim për marrëdhëniet me publikun, Katrin Latki-Bair, kanë shpjeguar çështjet e parandalimit të krizave, elementet e suksesit në fushën e komunikimit publik në raste krizash, identifikimin e potencialit të këtyre krizave të mundshme në sistemin prokurorial të Kosovës dhe zhvillimin e një plani adekuat për situata krizash.

Gjatë këtij trajnimi janë theksuar kriteret për komunikim transparent, përcaktimi i ekipeve të komunikimit publik, përcaktimi i grupeve të synuara të brendshme dhe të jashtme, zhvillimi i skenarëve dhe përkufizimi i situatave të paralajmërimit të hershëm të këtyre krizave, si dhe u shtrua nevoja e domosdoshme e hartimit të një doracaku për menaxhimin e krizave në sistemin prokurorial të Kosovës, dokument ky, i cili do të trasonte trajtimin profesional të situatave të caktuara, të cilat sfidojnë veprimtarinë institucionale para publikut të gjerë.