Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni ka prezantuar punën një vjeçare të KPK-së

Prishtinë, 27 dhjetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në konferencën e fundvitit për media, ka prezantuar veprimtarinë njëvjeçare (2019) të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rezultatet dhe sfidat me të cilat Këshilli është ballafaquar në realizim të mandatit të tij, si dhe planifikimin për vitin 2020.

Kryesuesi Hyseni me këtë rast ka thënë: “Këshilli ka mbajtur këtë vit 16 takime, si dhe ka nxjerr rreth 215 vendime të cilat kanë shërbyer në realizimin e mandatit të tij ligjor dhe në shërbim të sistemit prokurorial. Për më tepër, Këshilli ka realizuar edhe takime tjera të shumta përmes komisioneve të veta të përhershme, ad hoc dhe trupave tjerë.

Vlen të përmendet se në prill të këtij viti hyri në fuqi Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës ku me qëllim të zbatimit të këtij ligji Këshilli ka angazhuar me orar të plotë zëvendës kryesuesin e Këshillit, Kryetarin e Komisionit për Çështje Normative, kryetarin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe Kryetarin e Komisionit për Administrimin e Prokurorive.

Më lejoni që të përmend disa nga sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli, bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor:

Me qëllim të funksionalizimit dhe zbatimit të kompetencave dhe legjislacionit bazik, KPK gjatë vitit 2019 ka hartuar dhe miratuar aktet nënligjore si në vijim:

  • Rregullore për administrimin dhe ndarjen e lëndëve në Prokurorin e Shtetit
  • Rregullore për Shërbimin e Komunikimit Publik në Sistemin Prokurorial
  • Rregullore për procedurën e ndërmjetësimit për rastet penale nga prokuroria
  • Rregullorja për Procedurën Disiplinore të Prokurorëve
  • Rregullorja për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës                  

Këshilli ka miratuar gjithashtu Planin Strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021 ku janë përcaktuar objektivat 3 vjeçare të sistemit prokurorial.

Këshilli ka miratuar Strategjinë për Krime të Luftës si dhe ka themeluar mekanizmat e paraparë për implementimin e kësaj strategjie si: task forca dhe grupi monitorues që në përbërjen e saj kanë përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë. Vlen të përmendet se ky dokument është me karakter nacional dhe ka mundësuar që departamenti për krime lufte të trajtojë me prioritet rastet e kësaj natyre.

E tëra kjo kornizë nënligjore dhe këto Strategji janë hartuar nga kapacitetet e sistemit prokurorial si dhe në bashkëpunim dhe me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar.

Këto akte dhe strategji kanë ndikuar në ngritjen e efikasitetit dhe në përmirësimin e cilësisë së punës përmes avancimit të sistemit të komunikimit publik, procedurave disiplinore ndaj prokurorëve, procedurave të emërimit të kryeprokurorëve, procedurave të ndërmjetësimit të rasteve penale si dhe administrimit dhe ndarjes së lëndëve.

Këshilli, gjatë vitit 2019 përfundoi procesin e rekrutimit të 12 prokurorëve të rinj të cilët në maj të vitit 2019 kanë filluar trajnimin fillestar një vjeçar në Akademinë e Drejtësisë. Me këtë proces, Këshilli ka rritur numrin e prokurorëve në 197 me ç’rast do të jetë numri më i lartë i prokurorëve që kemi pasur ndonjëherë, respektivisht, 9 prokurorë për 100 mijë banorë, mesatare kjo e njëjtë me vendet evropiane. Vlen të theksohet se ky proces ka qenë transparent, meritor dhe është monitoruar nga shoqëria civile, OSBE dhe përfaqësues të Projektit britanik “Forcimi i sistemit gjyqësor në Kosovë”.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas daljes në pension të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka filluar me procedurën e emërimit të këtyre 2 kryeprokurorëve. Këtij procesi fillimisht i ka paraprirë hartimi dhe miratimi i rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, bazuar dhe mbështetur në  vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi për hartimin e rregullores ka qenë gjatë gjithë kohës në bashkëpunim të plotë me partnerët tanë të përhershëm ndërkombëtar dhe shoqërinë civile. Rregullorja është miratuar vetëm pasi për të njëjtën është organizuar edhe dëgjim publik. Me këtë rregullore është avancuar procesi i përzgjedhjes dhe si rezultat i një pune disa mujore Këshilli në takimin e datës 23 dhjetor 2019 emëroi Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të cilët do të fillojnë punën në janar 2020.

Këshilli gjatë vitit 2019, me qëllim të trajtimit të lëndëve të rënda penale dhe me kërkesë të prokurorive përkatëse, ka avancuar 5 prokurorë të shtetit nga departamenti i përgjithshëm në departamentin për krime të rënda dhe departamentin për të mitur nëpër prokuroritë themelore.

Këshilli, po ashtu, ka transferuar katër (4) prokurorë në prokuroritë themelore. Prej tyre, 1 prokuror është transferuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë me qëllim të mbështetjes së kësaj prokurorie në trajtimin e rasteve penale pasi që kjo prokurori për shkak të specifikave që ka mbetet ndër prokuroritë me numrin më të madh të lëndëve penale. Kjo prokurori është mbështetur edhe me 5 përkthyes të ri, që në total janë 8 përkthyes, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së prokurorëve të kësaj prokurorie në trajtimin e rasteve, pasi që siç dihet, në këtë prokurori janë 11 prokurorë të komunitetit serb.

Një prej objektivave të Këshillit për këtë vit ka qenë llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve. Andaj, gjatë vitit 2019, KPK ka zhvilluar procedurat disiplinore përmes Komisionit Disiplinor dhe paneleve hetimore dhe ka shqiptuar këto masa disiplinore ndaj prokurorëve të cilat kanë marrë formën përfundimtare:

  • 1 Pushim i procedurave
  • 1 Propozim për largim nga detyra e Prokurorit të Shtetit (e që me dekret të Presidentit është larguar nga detyra e Prokurorit të Shtetit)
  • 1 Ulje në detyrë brenda sistemit prokurorial
  • 1 Qortim
  • 2 Refuzim i Raportit Përfundimtar.
  • 1 vendim “Nuk ka kryer shkelje”
  • 1 Transferim i përhershëm nga pozita e prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda, në Departament të Përgjithshëm
  • 2 vërejtje jo publike me shkrim

Përveç këtyre, KPK ka marrë edhe 4 vendime tjera disiplinore por të cilat pritet të bëhen përfundimtare pas kalimit të afatit të ankesës. Këto vendime janë:

  • 1 vendim “Nuk ka kryer shkelje”
  • 1 zvogëlim i përkohshëm i pagës për 30% për një periudhë 6 mujore
  • 1 zvogëlim i përkohshëm i pagës për 50% për një periudhë 1 vjeçare
  • 1 vërejtje jo publike me shkrim

Po ashtu, 4 raste tjera janë ende nën hetime nga panelet hetimore përkatëse.

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli gjatë vitit 2019, ka finalizuar vlerësimin e performancës për 60 prokurorë, me ç’rast janë vlerësuar 36 prokurorë me mandat të përhershëm dhe 22 prokurorë me mandat fillestar. Po ashtu, KPK ka realizuar vlerësim të jashtëzakonshëm të performancës për 2 prokurorë me mandat të përhershëm.

Komisioni ka përfunduar vlerësimin edhe për 10 prokurorë tjerë me mandat të përhershëm për të cilët pritet vetëm miratimi nga Këshilli. Ndërsa, aktualisht është në fazën përfundimtare të vlerësimit të performancës së 20 prokurorëve të tjerë me mandat fillestar.

Të gjitha proceset e rekrutimit, transferimit dhe avancimit, vlerësimit të performancës, disiplinimit të prokurorëve, hartimit të akteve nënligjore, buxhetit, administrimit të prokurorive janë realizuar përmes komisioneve të përhershme dhe ad hoc të Këshillit Prorurorial të Kosovës.  

KPK me qëllim të zbatimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, për të trajtuar me prioritet dhe me qëllim të zvogëlimit të numrit të lëndëve për rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik ka themeluar Grupin Punues për mbikëqyrjen e punës së prokurorive të Kosovës dhe Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për kategorinë e këtyre veprave penale.

Si rezultat i këtyre masave, sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 279 raste të korrupsionit të pranuara me 725 persona ka zgjidhur 263 raste me 483 persona, respektivisht, ka zgjidhur 94% të rasteve të pranuara. Me prioritet gjatë këtij viti janë trajtuar edhe raportet penale PPN në rastet e korrupsionit ku si rezultat gjatë periudhës janar-shtator 2019, nga 314 Informata PPN të pranuara më 601 persona, prokuroritë e Kosovës kanë trajtuar dhe përfunduar 310 Informata  PPN më 539 persona apo 98.7% të rasteve të pranuara.

Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 343 raste të pranuara më 480 persona janë zgjidhur 357 raste me 474 persona, respektivisht janë zgjidhur 4% më shumë lëndë sesa janë pranuar.

Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Si një ndër projektet më të rëndësishme për Këshillin Prokurorial është Projekti TIK/SMIL  i cili është bashkëfinancim me Qeverinë Norvegjeze.

Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve është vënë në zbatim në të gjitha Prokuroritë Themelore dhe Prokurorinë Speciale.

Numri i përgjithshëm i stafit që janë trajnuar për përdorimin e SMIL është 395 (prokuror dhe staf mbështetës). Në të gjitha prokuroritë tashmë kemi një përdorim të plotë nga stafi.

Të gjitha lëndët/rastet që janë pranuar, janë regjistruar në SMIL si dhe janë ndarë të prokurorët përkatës, gjithashtu janë regjistruar edhe të gjitha veprimet dhe aktet e prokurorëve.

Numri i përgjithshëm i rasteve që janë regjistruar në sistem elektronik nga muaji Janar – Nëntor 2019 është si në vijim:

  • 37,144 lëndë të reja (PP, PPM, PPN dhe PPP).
  • 62,107 lëndë të vjetra në punë.

SMIL është zhvilluar edhe për instancën e dytë (Prokuroria e Apelit) dhe pritet që gjatë muajit Janar 2020 të fillojë implementimin.

Sa i përket aspekteve tjera të Teknologjisë së Informacionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës është zotuar që të krijojë një mjedis të punës, i cili do të mundësojë vënien në dispozicion të shërbimeve digjitale online, të ofruar jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim:

  • Është përgatitur procedura standarde e veprimit për ofrimin e shërbimeve të TI-së për stafin e sistemit prokurorial të Kosovës.
  • Është zhvilluar dhe implementuar sistemi elektronik për menaxhimin e burimeve njerëzore.
  • Janë rregulluar dhomat për të mitur në prokuroritë themelore, të cilat  posedojnë të gjitha kushtet dhe pajisjet e nevojshme sipas standardeve qe i kanë shtetet me te avancuar (Donacion i Ambasadës Amerikane).
  • Është avancuar infrastruktura harduerike në sistemin prokurorial, duke i furnizuar prokuroritë me të gjitha pajisjet e teknologjisë informative të nevojshme për punë.
  • Janë trajnuar të gjithë stafi i prokurorive lidhur me sigurinë kibernetike.

Sa i përket buxhetit, buxheti fillestar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019 ishte 14,170,064.97 e që është për 1,634,954.94€ më i lartë se sa buxheti fillestar i vitit 2018.

Deri më tani, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar 98% të buxhetit total, për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore të Këshillit për shpenzimet e krijuara deri në dhjetor të këtij viti.

KPK ka dërguar kërkesën buxhetore për vitin 2020 në vlerë prej 18,357,969 euro.

Njësia e Auditimit të Brendshëm, gjatë vitit 2019, ka kryer auditime të planifikuara sipas planit vjetor. Këtu përfshihen auditimet e pajtueshmërisë të cilat kryesisht mbulojnë këto fusha: proceset buxhetore, shpenzimet, të hyrat, paraja e gatshme, menaxhimi i pasurive, të dhënat për pasuritë dhe mirëmbajtja e tyre, sistemi i prokurimit dhe procedura tjera. Sipas planit vjetor ishin planifikuar gjithsej pesë auditime dhe janë realizuar të gjitha, shprehur në përqindje 100% e planit është realizuar. Gjatë vitit 2019 janë audituar këto njësi:

  • Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, me temë: ‘’Funksionimi i sistemit financiar dhe i pasurisë në ZMNV’’.
  • Divizioni i Shërbimeve të Përgjithshme, me temë ‘’Funksionimi i sistemit për shërbimet dhe pasuritë ’’.
  • Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, me temë: ‘’Funksionimi i sistemit për proceset buxhetore, financiare dhe pasuritë’’
  • Divizioni i Prokurimit, me temë: ’’Funksionimi i sistemit dhe proceset e prokurimit’’.
  • Divizioni për Buxhet dhe Financa, me temë: ‘’Funksionimi i sistemit për proceset buxhetore dhe financiare’’.

Të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet, paraprakisht ishin trajtuar mirë dhe ishin diskutuar me udhëheqësit e njësive. Në proces, deri në fund të vitit është edhe përcjellja e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit, për njësitë e lartcekura.

Vlen të theksohet se KPK ka ndihmuar prokuroritë e Kosovës me resurse njerëzore dhe atë gjatë vitit 2019 Sekretariati ka rekrutuar 69 zyrtarë në të gjithë sistemin prokurorial, dhe 123 praktikantë në të gjitha nivelet e prokurorive. Është realizuar edhe sistemimi i stafit të transferuar nga ish Zyra e Prokurorit Disiplinor.

Gjithashtu, gjatë vitit 2019 Këshilli i ka kushtuar kujdes të vazhdueshëm sigurimit dhe përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe të komunikimit në sistemin prokurorial, me qëllim të ofrimit të kushteve optimale për punën e prokurorëve dhe personelit mbështetës. Në këtë drejtim, ndër të tjera janë realizuar aktivitetet e mëposhtme:

  • Janë kryer renovimet në ndërtesat e Prokurorisë Themelore të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Ferizajt;
  • Është kryer ndërtimi i objektit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, pritet shumë shpejt akomodimi i stafit në objekt;
  • Është proceduar projekti për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale;
  • Është realizuar projekti për pajisjet e sigurisë në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës dhe KPK-së, e që është projekt në vazhdim;
  • Është kryer ndërhyrja në hapësirat e punës në Pallatin e Drejtësisë;
  • Është lidhur Marrëveshje me Policinë e Kosovës për sigurinë në objektet e prokurorive;

Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë gjatë vitit 2019 ka realizuar aktivitetet si në vijim:

  • Ka mbështetur procesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve, procesin e avancimit dhe transferimit të prokurorëve, Komisionin për Administrimin e Prokurorive.
  • Ka përgatitur raporte statistikore dhe analitike, në të cilat pasqyrohet ngarkesa me lëndë, zgjidhja e tyre dhe trendët përfshirë edhe efikasitetin e prokurorive dhe nevojën për prokurorë shtesë duke përfshirë edhe përmbushjen e Normës orientuese të prokurorëve
  • Ka përgatitur raport lidhur me rastet me veprat penale karakteristike nga Mekanizmi përcjellës për harmonizimin e të dhënave statistikore mes institucioneve dhe KPK-së siç janë: krim i organizuar, korrupsion, trafikim me qenie njerëzore, kontabandim me migrant, pastrim i parave, droga, armë, nxitje e urrejtjes dhe krime ekonomike.
  • Koordinimi i trajnimeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës dhe përgatitja e draft dokumentit të politikave të trajnimit duke bërë vlerësim të nevojave të mbështetur në burime të shumta.
  • Ka zhvilluar databazën për dosjet e prokurorëve ku janë digjitalizuar proceset kryesore të Këshillit siç janë: rekrutimi, transferimi, avancimi, vlerësimi i performancës dhe disiplinimi i prokurorëve, pjesëmarrja e prokurorëve në trajnime, si dhe menaxhimi i pushimeve. Kjo do t’i bëjë këto procese më efikase, të sakta, dhe do të rrisë llogaridhënien në sistemin prokurorial.

Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër institucionet vendore do të veçoja: Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Akademinë e Drejtësisë, Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Integrimit Evropian, Odën e Avokatëve, Policinë e Kosovës, si dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit.

Kurse, ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të theksoja bashkëpunimin me: Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrën e BE-së në Prishtinë, e cila financon projekte të ndryshme, UNDP-në dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Holandës dhe ambasadat e tjera, EULEX-in, Këshillin e Evropës, Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), GIZ-in dhe institucione e organizata të tjera. 

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian, ngaqë të gjitha kapacitetet e Këshillit u janë përgjigjur në çdo kohë kërkesave për raportim dhe janë bërë përgatitjet e projekt-propozimeve të ndryshme për financim të projekteve.

Kryesuesi i Këshillit gjatë vitit 2019, me autorizim të Këshillit, ka nënshkruar 9 marrëveshje bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si:

  1. Marrëveshje teknike mes Këshillit Prokurorial dhe EULEX “për modalitetet në lidhje me lokacionin e përbashkët tek ish UNMIK-u në qendër të Prishtinës”.
  2. Memorandum mirëkuptimi mes Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor lidhur me dhënien në shfrytëzim të objektit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Gjykatës Themelore të Pejës, Divizionit për kundërvajtje.
  3. Memorandum mirëkuptimi mes Këshillit Prokurorial dhe Kolegjit AAB lidhur me “Krijimin e bashkëpunimit mes KPK dhe AAB”.
  4. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Policisë së Kosovës, “Për funksionalizimin e bazës së integruar të të dhënave për rastet e dhunës në Familje”.
  5. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe GIZ, për “Financimin dhe zbatimin e Projektit të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Rasteve në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave”
  6. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike lidhur me implementimin e projektit “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”
  7. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Qendrës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) lidhur me implementimin e projektit “Mbështetje për sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm” të financuar nga ambasada holandeze.
  8. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Axiom international lidhur me implementimin e projektit “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë” financuar nga ambasada britanike.
  9. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Akademisë së Drejtësisë lidhur me bashkëpunimin në realizim të mandatit ligjor

 

KPK ka vazhduar avancimin e implementimit të strategjisë për komunikim ku përmes rregullores për komunikim me publik ka filluar praktikën e hartimit të raportit 24 orësh për zhvillimin e veprimtarisë prokuroriale. Përmes këtij raporti, publiku njoftohet lidhur me veprimet e prokurorive për 24 orë sa i përket rasteve penale si ndalimet me vendim të prokurorit, paraburgimet, sekuestrimet dhe kontrollet, aktakuzat, me theks të veçantë ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjatë vitit 2019 kemi pasur ngritje të transparencës dhe lehtësim në marrjen e informatave për faktin që tani secila prokurori ka zyrtarët e vet për informim me publikun.

Po ashtu, me qëllim të unifikimit të informatave në sistemin prokurorial është dizajnuar dhe finalizuar Uebportali i këtij sistemi, i cili do të sjell risi në ofrimin e informatave për qytetarët dhe në lehtësimin e marrjes së tyre.

Për më tepër, takimet e Këshillit kanë vazhduar të jenë të hapura për mediat dhe publikun dhe kemi ofruar informata me interes për publikun.

Mirëpo, përkundër vlerësimit të dalë nga hulumtimet se ka ngritje të transparencës, komunikimit dhe perceptimit për sistemin prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të ndalet së punuari që komunikimi, transparenca, llogaridhënia, perceptimi dhe besueshmëria për këtë sistem të arrijnë vlerësimin e merituar nga opinioni publik.

Këshilli në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ka arritur që edhe gjatë vitit 2019 të koordinojë dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit. Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë vendor dhe ndërkombëtar janë organizuar programe të ndryshme trajnuese, brenda dhe jashtë vendit, bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Ne kemi hartuar dhe adresuar politikat për trajnimin e vazhdueshëm të prokurorëve dhe stafit, ndërsa lidhur me trajnimin fillestar kemi bashkëpunuar me Akademinë e Drejtësisë ku prokurorët që janë dekretuar me mandat fillestar gjatë vitit 2019 janë në trajnim fillestar në Akademinë e Drejtësisë. Këta prokurorë, gjatë pjesës së parë të vitit 2020, pas përfundimit të këtij trajnimi, do të ngarkohen me lëndë.

  1. SFIDAT GJATË VITIT 2019

Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2019 përveç të arriturave natyrisht që kishim edhe sfida të ndryshme. Dëshiroj të theksoj se ndër sfidat kryesore me të cilat jemi ballafaquar janë:

  • Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me tre (3) anëtarë joprokurorë, që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Këshillin Prokurorial në prill të këtij viti, nuk është përgjegjësi e Këshillit as përzgjedhja e as procedurat teknike të shpalljes së konkursit;
  • Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara, edhe pse kemi pasur rritje të buxhetit për këtë vit;
  • Mungesa e legjislacionit për rregullimin e ekspertizave.
  • Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimet kibernetike);
  • Mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial;
  • Paqartësitë lidhur me implementimin e Ligjit për zyrtarë publik dhe Ligjit për pagat
  • Infrastruktura fizike (zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorisë themelore të Mitrovicës, që gjendet në objekt me qera); 
  • Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të sistemit prokurorial.

Ne si Këshill i kemi trajtuar seriozisht këto sfida, duke dërguar kërkesa të shumta dhe të argumentuara buxhetore në Ministrinë e Financave, në Qeveri dhe në Kuvend.

Si rezultat, me Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020 është caktuar një kufi buxhetor më premtues, gjë që, nëse miratohet, do të ndikonte në përmirësimin e shërbimeve të sistemit prokurorial.

  1. Planifikimi i punës së Këshillit për vitin 2020

Dëshiroj t’ju njoftoj se Këshilli është duke finalizuar Planin vjetor të punës për vitin 2020, në të cilat janë planifikuar aktivitetet e parapara me mandatin ligjor, Planin strategjik të sistemit prokurorial 2019 - 2021 dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

Po ashtu, KPK është në proces të hartimit të Strategjisë për trajtimin me prioritet të korrupsionit dhe krimit ekonomik 2020-2021 dhe Planit Strategjik për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, në reflektim të ndryshimeve ligjore, që kanë ndodhur gjatë viteve 2018 dhe 2019, Këshilli do të vazhdojë punën në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse të parapara me këto ndryshime.

Gjatë vitit 2020 pritet të rekrutohen edhe 8 prokurorë të rinj me qëllim të plotësimit të nevojave të sistemit prokurorial si rezultat i numrit të rasteve në punë si dhe me qëllim të plotësimit të pozitave të prokurorëve që kanë dal dhe do të dalin në pension. Gjithashtu, në fillim të vitit 2020, KPK do të zhvillojë procedurat e nevojshme për plotësimin e PSRK-së me numrin e prokurorëve sipas nevojës.

Për më tepër, gjatë vitit 2020 pritet të zhvillohen procedurat për zgjedhjen e disa anëtarëve e ri të Këshillit Prokurorial, pasi siç e dini mandati i kësaj përbërjeje të Këshillit përfundon në dhjetor 2020.

Po ashtu, gjatë vitit 2020 pritet të zhvillohen procedurat për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit dhe Kryeprokurorëve të prokurorive themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, pasi mandati i kryeprokurorëve aktual të këtyre prokurorive skadon në vitin 2020.

Si përfundimju njoftoj se në pajtim me ligjin, Këshilli do të publikojë Raportin e punës për vitin 2019 në fillim të vitit 2020 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare të Këshillit dhe në kopje fizike, me ç’rast publiku dhe Ju, përfaqësues të nderuar të mediave, do të informoheni në detaje për aktivitetet tona gjatë vitit që po e lëmë pas.

Me këtë rast ju falënderoj juve si përfaqësues të mediave të respektuara për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti dhe ju uroj festat e fundvitit, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë time të lartë, të Këshillit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Urime dhe suksese për Ju në vitin 2020!

Gjithashtu, në emër të sistemit prokurorial, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ua përcjell urimet m të mirat për festat e fundvitit."