Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Lufta kundër korrupsionit, prioritet i sistemit prokurorial

Prishtinë, 10 dhjetor 2019 -  Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në Tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me titull: “Amnistia e korrupsionit të profilit të lartë: Sinjalizimet e padëgjuara të korrupsionit nga drejtësia”, tryezë e cila është organizuar në kuadër të aktiviteteve të Koalicionit të OJQ-ve me rastin e Javës Kundër Korrupsionit 2019.

Kryesuesi Hyseni në fjalën e mbajtur para të pranishmëve ka shpalosur aktivitetet konkrete, të realizuara nga KPK-ja, të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit. “Sistemi prokurorial ka trajtuar me prioritet rastet e korrupsionit. Në këtë drejtim, Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë realizuar vizita nëpër prokuroritë e Kosovës në fillim të vitit 2019, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në luftimin e rasteve të korrupsionit dhe ofrimit të mbështetjes në pengesat eventuale gjatë trajtimit të këtyre rasteve. Këshilli, po ashtu, ka themeluar një njësit të veçantë për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtine”, ka thënë Kryesuesi Hyseni.

Kryesuesi i KPK-së ka prezantuar edhe mekanizma të tjerë të krijuar nga sistemi prokurorial që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, por edhe ka prezantuar statistika për rastet e korrupsionit në përgjithësi dhe të korrupsionit të personave zyrtar në veçanti. Kreu i KPK-së ka theksuar se “sa i përket rasteve të korrupsionit të personave zyrtarë dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare që ndërlidhen me prokurimin publik, prokuroritë e Kosovës kanë pasur në punë 9 raste me 27 persona dhe kanë zgjidhur 7 raste me 24 persona. Për më tepër, rastet e korrupsionit janë të përfshira edhe në listën e rasteve të shënjestruara, ku nga 57 raste të shenjëstruara, 47 janë të natyrës korruptive ku janë të përfshirë 171 persona. Bazuar në Planin strategjik të sistemit prokurorial, luftimi i korrupsionit do të jetë objektivë e KPK-së edhe për vitet në vijim”.

Në fund, Kryesuesi Hyseni ka folur edhe për Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, ku, sipas tij, Këshilli e vlerëson lart miratimin e tij, me ç’rast menjëherë e ka caktuar zyrtarin përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin për tërë sistemin prokurorial.